Kopshti më i madh vertikal i perimeve në Evropë u hap këtë javë në periferi të kryeqytetit danez, Kopenhagë.
Ky është një kopsht që Nordic Harvest hapi në një sallë industriale në Taastrup, e që është përpjekja më e madhe e kompanisë kur bëhet fjalë për prodhimin e frutave dhe perimeve pa përdorimin e dheut dhe rrezeve të diellit, shkruan IndeksOnline. Themeluesi i kompanisë, Anders Riemann vuri në dukje se Nordic Harvest po punon në projekte që ofrojnë një mënyrë më të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit gjatë gjithë vitit, pa dëmtuar natyrën.
Ai tha se perimet do të rriten në 14 kate që shtrihen nga dyshemeja në çati ndërsa planifikojnë që frutet t’i mbledhin 15 herë në vit. Sipas tij, një sistem i tillë zë më pak hapësirë në krahasim me kultivimin tradicional, kurse bimët, me ndihmën e dritës LED do të rriten në një sipërfaqe prej 7.000 metrash katrorë.
Ferma do të përdorë energjinë e marrë nga burime të rinovueshme dhe do të arrijë kursime prej 95 për qind në konsumin e ujit në krahasim me rritjen tradicionale të perimeve.
Fillimisht ishte planifikuar të rriteshin marule, lakër jeshile dhe barishte pa përdorimin e pesticideve. Priten gati 1.000 ton ton rendimente vjetore dhe produktet e para në treg duhet të dalin në fillim të vitit të ardhshëm.
Sondazhet e zhvilluara në Danimarkë kanë treguar se më pak se një e katërta e të anketuarve janë të gatshëm të konsumojnë produkte nga kopshtet vertikale ndërsa 14 të anketuar i konsiderojnë produktet e tilla si të rrezikshme.
Riedmann për AA tha se ai shtatë vite më parë e la punën si analist në institucionet financiare dhe themeloi Nordic Harvest, i cili kryen kërkime pioniere dhe projekte bujqësore pa dhé me ndihmën e dritës artificiale.
“Ekspertët nga SHBA-të më ndihmuan të plotësoja planin tim të biznesit, por për katër vjet kam punuar pa pagë dhe më është dashur të marr një hipotekë mbi shtëpinë dhe të marr para hua nga miqtë dhe të afërmit për të jetuar me familjen”, tha Riedmann.
Përkundër sfidave me të cilat u përball, Riedmann vazhdoi në planin e tij dhe refuzoi disa investitorë të mëdhenj të cilëve u pëlqente ideja e tij, por atij nuk i pëlqente fakti se ata donin të hynin në biznes vetëm për hir të përfitimeve materiale.
“Diskutimet dhe paralajmërimet në lidhje me pasojat e mundshme të ndryshimit të klimës kanë qenë një shtytëse e idesë së kultivimit bujqësor në kushte klimatike të kontrolluara në të cilat ne mund të arrijmë deri në 15 korrje në vit, në vend të dy korrjeve në bujqësinë tradicionale. Në këtë mënyrë, ne mund të arrijmë rendimente 250 herë më të larta se fermerët që e bëjnë atë në të njëjtën zonë me kultivimin tradicional”, tha Riedmann.
Aktualisht, kompania e Riedmann prodhon gjashtë varietete bujqësore në mënyrë moderne të kopshtarisë vertikale, kurse qëllimi i tyre është të shtojnë kultivimin e 14 llojeve të tjera, përfshirë luleshtrydhet dhe boronicat.
Riedman tha se një pjesë e ëndrrës së tij është realizuar, por se ai dëshiron ta ngrejë atë lloj bujqësie në nivelin që është aktualisht në SHBA, Singapor ose Japoni, të gjitha në mënyrë që të lëvizin bujqësinë në qytete dhe t’i kthejnë fushat ekzistuese .bujqësore në pyje.