Cikloni i cili gjendet larg në Mesdheun perëndimor po kushtëzon vranësira në rajon, ndërsa nga deti po afrohen reshje shiu të cilat fillimisht do të jenë prezente në Shqipëri e pastaj në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.
Në Shqipëri përpos reshjeve të shiut lokalisht do të ketë stuhi të fuqishme shiu sidomos përballë Vlorës e Himares në jug në detin e hapur dhe përreth. Rrebeshe të fuqishme priten edhe në bregdetin malazez dhe shumë afër veriperëndimit të Shqipërisë. Reshjet dhe stuhitë më të forta kësaj radhe parashihen në detin e hapur në këto rajone.
Në viset tjera reshje të herëpashershme lokale shiu. Në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore priten po ashtu reshje lokale shiu , por reshjet do të jenë të pakta dhe afatshkurtra. Vetëm veriperëndimi i Kosoves mund të përfitojë reshje më intensive.
Stuhitë më të forta do të ndodhin gjatë dites së diel në ato vise që i përmendëm më lartë.
Mot i ngjashëm na pret edhe ditëve të ardhshme. Nën ndikimin e rrymimeve ajrore nga jugu e jugperëndimi nuk do të jetë shumë ftohtë te ne. Parashihen vranësira, intervale kohore me diell dhe nganjëherë riga e rrebeshe lokale shiu të cilat nuk do të zgjasin shumë me përjashtim të disa viseve të Shqipërisë ku për shkak të orografisë lokalisht reshjet do të zgjasin më shumë./MeteoBallkan