Edhe kjo javë po vazhdon me mot kryesisht stabil dhe të nxehtë sidomos nga mesjava e deri në fundjavë, por fundjava sipas të gjitha gjasave sjellë ndryshim të fuqishëm të kushteve të motit si pasojë e ardhjes së masave mjaft të fuqishme të ftohta ajrore nga veriu i Kontinentit.
Për momentin pothuajse të gjitha modelet globale kompjuterike për parashikim të motit po lajmërojnë fluskin e ajrit të ftohtë polar në Ballkan duke kushtëzuar krijimin e disa cikloneve në Mesdhe që do të gjeneronin reshje herë pas here të dendura atmosferike. Reshjet pritet të fillojnë afërsisht nga e premta ose e shtuna, fillimishst në formë të stuhive lokale dhe rrebesheve me vetëtima dhe bubullimë.
Pas rrebesheve të shiut do të vazhdonte depërtimi ose fluksi i ajrit të ftohtë duke krijuar ciklone të reja eventuale në Mesdhe. Kjo situatë sinoptike do të kushtëzonte vazhdimin e reshje të herëpashershme të shiut të cilat vende-vende pritet të jenë të dendura, ndërsa me uljen e madhe të temperaturave parashihet edhe ardhja e borës së parë në bjeshkët e Ballkanit.
Reshje bore parashihen në bjeshkët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi duke mos përjashtuar edhe zbardhjen e majave të bjeshkëve të Kosovës dhe Shqipërisë veriore.
Sidoqoftë, deri në fundjavë do të ketë ndryshime në parashikim, por për momentin egziston ky trend mjaft solid në modelet globale numerike për parashikim të motit.
Fundjava dhe fillimi i javës së re sjellin vjeshtë të vërtetë në gati tërë Ballkanin, ndërsa ekzistojnë gjasa edhe për kushte dimërore në bjeshkët e Ballkanit. Ne do të jemi duke e përcjellur evoluimin e gjendjes sinoptike duke qenë të sigurtë se ndryshime do të ketë ngase një “goditje” e tillë siç parashohin tani modelet duket mjaft ekstreme për këtë periudhë kohore dhe për çdo ndryshim do ju njoftojmë në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan