Për këtë javë po dihet parashikimi i motit, por të potencojmë edhe një herë se priten vranësira mjaft të shpeshta dhe reshje e rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, ku në disa lokacione ka gjasa për reshje intensive dhe vërshime të shpejta. Reshjet do të rikthehen nga e mërkura pasdite ose në mbrëmje dhe pastaj nga e enjta.
Në fillim të javës së re kemi disa sinjale për rritjen e presionit atmosferik që do të thotë ardhjen e një mase ajrore anticiklonike e cila të paktën përkohësisht do të sjellë shumë më shumë rreze diellore dhe rritje të temperaturave. Po ashtu nga Afrika Veriore në drejtim të Evropes do të kemi një depërtim të ajrit më të nxehtë afrikan dhe kjo masë e ngrohtë ajrore pjesërisht do të kap edhe Ballkanin.
Java e ardhshme
Është e dukshme se do të ketë përmirësim të motit, por ende nuk mund të themi nëse do të kemi stabilizim të plotë të motit, ngase në viset kontinentale mund të ketë gjithnjë gjasa për paraqitjen e rrebesheve të izoluara të pasditeve dhe mbrëmjeve, por të shpresojmë të kemi të paktën disa ditë pa rrebeshe fare. Kjo mbetet për tu parë në përditësimet e modeleve gjatë ditëve të ardhshme.
Deri atëherë pra, para nesh një periudhë me reshje të shpeshta e vende-vende nganjëherë edhe intensive. Ne do të jemi duke e përcjellur evoluimin e situatës sinoptike dhe do tju njoftojmë me kohë në postimet tona ditore./METEOBALLKAN