Masa më të ftohta ajrore po vijnë drejt rajonit tonë këto dy ditë të cila do të shoqërohen edhe me reshje atmosferike për shkak të ndikimit të ciklonit diku në jug të Italisë dhe Detin Jon.
Reshjet do të jenë në formë shiu, shqote e bore varësisht nga temperatura në lartësitë e ndryshme mbidetare. Ende nuk është mjaftueshëm ftohtë për reshje bore në zonat e ulëta, por reshje bore do të ketë zonat kodrinore- malore, ndërsa në intervale të caktuar gjatë ditës së nesërme reshje shqote e bore mund të paraqiten edhe në disa zona pak më të ulëta mbidetare në Kosovë, prandaj edhe kësaj radhe pa reshje bore në të gjithë territorin dhe përgjithësisht nëpër zonat më të ulëta.
Megjithatë, reshjet e borës do të japin pamje të mira në zonat ku ato do të favorizohen nga temperaturat dhe kushtet tjera meteorologjike.
Nga e premta ajri pak më i ngrohtë nga Mesdheu depërton përsëri në rajonin tonë, ndërsa ajri i ftohtë polar grumbullohet në Evropen veriore dhe veriperëndimore duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe.
Goditje e fortë dimërore po përgaditet për shumë vende evropiane gjatë Dhjetorit e rajoni ynë ende do të jetë nën ndikimin e masave relativisht të ngrohta mesdhetare gjatë gati tërë dhjetëditëshit të parë të Dhjetorit.
Ky Dhjetor sipas të gjitha gjasave do të jetë shumë dinamik duke na sjellur edhe reshje bore, ngase këto masa të ftohta ajrore që priten të vijnë në Evropë një ditë do ta gjejnë rrugën për në rajonin tonë./MeteoBallkan