Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar sot se ministri Andin Hoti ka nënshkruar vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfitimin nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027.
Përmes këtij vendimi përcaktohen kriteret që duhet të plotësojnë përfituesit, mënyra e aplikimit, llogaritja dhe pagesa e subvencionit, si dhe procedurat për shqyrtimin e aplikacioneve dhe verifikimin e të dhënave të aplikuesve.
Për këtë program, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro, me qëllim të mbështetjes së familjeve që kanë më së shumti nevojë për ndihmë në përballimin e faturave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, thirrja për aplikim do të hapet së shpejti, ndërsa data e hapjes dhe mënyra e aplikimit do të bëhen të ditura me kohë.
Programi, sipas njoftimit nga ministria, synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve të cenueshme dhe t’i ndihmojë ato në përballimin e kostos së energjisë elektrike gjatë periudhës 2026–2027.















