Shoferët në Kosovë duhet të përgatiten për sezonin dimëror, pasi së shpejti fillon zbatimi i obligimit ligjor për pajisjet dimërore në automjete, i cili vazhdon deri më 15 mars të vitit të ardhshëm. Autoritetet u vazhdimisht u kanë bërë thirrje ngasësve që të mos presin reshjet e para të borës për t’i pajisur veturat me gomat dhe pajisjet e nevojshme për qarkullim të sigurt.
Me afrimin e sezonit të ftohtë dhe ndryshimin e kushteve atmosferike, ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit bëhet një nga përgatitjet më të rëndësishme për shoferët.
Në Kosovë, sipas Ligjit nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, sezoni dimëror fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 15 mars. Gjatë kësaj periudhe, automjetet që marrin pjesë në trafikun rrugor duhet të jenë të pajisura me pajisjet dimërore të përcaktuara me ligj.
Kjo do të thotë se shoferët duhet të sigurohen që automjetet e tyre të jenë të përgatitura për temperatura të ulëta, reshje bore, ngrica dhe rrugë të rrëshqitshme.
A janë të detyrueshme gomat e dimrit për të gjithë?
Pajisjet dimërore nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht vetëm vendosjen e gomave të dimrit. Për automjetet e udhëtarëve deri në 3.5 tonë, parashihen edhe alternativa të përcaktuara me rregullat për pajisjet dimërore.
Shoferët mund të përdorin goma dimërore në të gjitha rrotat, me shenjën përkatëse M+S, ose goma verore me thellësi të profilit prej së paku katër milimetrash, së bashku me zinxhirë për borë në rrotat aktive.
Megjithatë, përdorimi i gomave të dimrit rekomandohet për shkak të kapjes më të mirë në temperatura të ulëta dhe kushte të vështira atmosferike.
Pse është e rëndësishme vendosja e gomave të dimrit?
Gomat e dimrit janë të projektuara për të funksionuar më mirë në temperatura të ulëta. Përbërja e gomës dhe struktura e profilit ndihmojnë në ruajtjen e kapjes në rrugë, veçanërisht gjatë reshjeve të borës dhe në sipërfaqet e lagështa ose të ngrira.
Në temperatura të ulëta, gomat verore mund të humbasin një pjesë të fleksibilitetit, duke ndikuar në kontrollin e automjetit dhe distancën e frenimit.
Për këtë arsye, ekspertët e sigurisë në trafik rekomandojnë që ndërrimi i gomave të bëhet para se temperaturat të bien në mënyrë të qëndrueshme nën shtatë gradë Celsius. Ky është një rekomandim praktik, jo një afat i përcaktuar me ligj në Kosovë.
Çfarë duhet të kontrollojnë shoferët para sezonit dimëror?
Përveç gomave, përgatitja e automjetit për dimër përfshin edhe disa kontrolle të tjera të rëndësishme.
Shoferët këshillohen të kontrollojnë:
- Gjendjen dhe thellësinë e profilit të gomave.
- Presionin e gomave, sipas rekomandimeve të prodhuesit.
- Funksionimin e baterisë, e cila mund të ketë vështirësi gjatë temperaturave të ulëta.
- Sistemin e frenimit dhe ndriçimin e automjetit.
- Antifrizin dhe lëngun për pastrimin e xhamave, i cili duhet të jetë i përshtatshëm për temperatura të ulëta.
- Fshirëset e xhamave dhe gjendjen e tyre.
Gjithashtu, rekomandohet që në automjet të mbahen zinxhirë për borë, sidomos për udhëtimet në zonat malore dhe rrugët ku mund të ketë reshje të dendura.
Sa është gjoba për ata që nuk i respektojnë rregullat?
Ligji nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në nenin 227, parasheh gjobë prej 40 eurosh për shoferët që nuk i respektojnë obligimet për pajisjet dimërore gjatë sezonit të përcaktuar.
Po ashtu, gjatë kushteve dimërore, kur rruga është e mbuluar me borë ose akull, ndalohet qarkullimi i automjeteve që nuk janë të pajisura me pajisjet e nevojshme dimërore.
Policia e Kosovës vazhdimisht u bën thirrje shoferëve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve dhe të shmangin frenimet e papritura.
Përgatitja me kohë e automjetit për sezonin dimëror nuk është vetëm çështje e respektimit të ligjit, por edhe një masë e rëndësishme për mbrojtjen e jetës së shoferëve, pasagjerëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.















