Anticikloni i fuqishëm me qendër diku në Poloni dhe perëndim të Ukrainës sonte merr situatën nën kontroll në rajonin tonë duke kushtëzuar kthellim dhe stabilizim të motit, por njëkohësisht edhe ulje të mëtutjeshme të temperaturave minimale gjatë natës dhe mëngjesit të hershëm. Kjo për shkak të bërthamës së ajrit esktrem të ftohtë jo shumë larg neve në lindje të Kontinentit.
Temperaturat minimale nëpër ultësira sonte në viset tona kontinentale pritet të luhaten nga -6 deri në -8 gradë Celsius, ndërsa në viset malore normalisht pritet të jetë edhe më ftohtë. Reshje atmosferike më nuk pritet të ketë ngase dotë jemi nën ndikimin e plotë të anticiklonit e cili zakonisht ka përmbatje të ajrit të thatë.
Edhe në viset mesdhetare të Shqipërisë priten temperatura nën 0 gradë Celsius, por nuk priten “minuse! të forta.
Nesër gjatë ditës temperaturat rriten pak për shkak të rrezeve diellore dhe pritet të luhaten nga 2 deri në 5 gradë Celsius, por në mbrëmje dhe gjatë natës ulen edhe më shumë duke shkuar deri në -10 gradë Celsius. Mëngjesi i së dieles pritet të jetë më i ftohti.
Pak më gjerë në rajon në viset malore temperatura mund të ulet deri në -20 gradë Celsius këto dy netë dhe kjo mund të ndodhë në jugperëndim të Serbisë dhe veri të Malit të Zi.
Gjatë ditës së diele priten rritje të temperaturave deri në 7 ose 8 gradë Celsius dhe kjo do të ndjehet, ngase na pret mot kryesisht stabil.
Ditëve të ardhshme rritje graduale progresive e temperaturave, por ende gjatë natës dhe mëngjesit priten ngirca të cilat do të vijnë duke u dobësuar gradualisht.
Pas rritjes së temperaturave gjatë javës tjetër një tjetër valë e të ftohtit mund të ndodhë rreth dates 18 Mars, por kjo mbetet të shihet./MeteoBallkan