Tërmeti i fortë shkakton kaos në shtetin aziatik!

Filipinet u tronditën nga një tërmet masiv me magnitudë 7.3 të mërkurën me të paktën – së paku deri më tani të raportuar – dy persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

716
Shpërndarje
2k
Shikime

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tërmeti i fuqishëm goditi provincën malore dhe pak të populluar të Abra në ishullin kryesor të Luzonit, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.

Ai shkaktoi rrëshqitje të vogla dheu dhe dëmtoi ndërtesa dhe kisha, ndërsa bëri që turmat e tmerruara dhe pacientët e spitaleve të nxitonin për të dalë jashtë nga objektet.

Tërmeti u ndje fuqishëm në kryeqytetin e vendit Manila, me sistemin e metrosë së qytetit të ndalur në orën e pikut pas tërmetit, tha ministria e transportit.

Gjithashtu, është evakuuar edhe godina e senatit në kryeqytet.

Një punëtor ndërtimi 25-vjeçar në La Trinidad, kryeqyteti i provincës pa dalje në det Benguet, vdiq kur ndërtesa trekatëshe në të cilën ai po punonte u shemb, tha policia. Shtatë punëtorë të tjerë shpëtuan të palënduar.

Studentja e universitetit Mira Zapata ishte në shtëpinë e saj në komunën e San Juan kur ndjeu ‘dridhje shumë të fortë’.

“Filluam të bërtisnim dhe dolëm jashtë”, tha ajo, ndërsa pasgoditjet vazhduan.

“Shtëpia jonë është në rregull, por shtëpitë poshtë kodrës u dëmtuan”.

Tërmeti i së mërkurës ishte më i forti i regjistruar në Filipine në vite. /Telegrafi/

 

Rekomandime