Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dalë me disa rekomandime për fermerët lidhur me mbjelljen e grurit dimëror, kulturë bujqësore e cila zë sipërfaqet më të mëdha të kultivimit në Kosovë.
Ministria u ka rikujtuar fermerëve se rendimentet e ulëta janë pasoje e moszbatimit të agroteknikës së duhur, përdorimit të farërave jo cilësore për mbjellje, por edhe plehërimit të pakontrolluar dhe jo të harmonizuar sipas fazave të rritjes së bimës.
Për të rritur prodhimin dhe cilësinë e grurit, fermerët janë rekomanduar që të zbatojnë teknologjitë moderne të kultivimit dhe të ndjekin kalendarin agronomik gjatë gjithë periudhës vegjetative, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas MBPZHR’së, koha më e mirë për mbjellje është nga 5 deri më 30 tetor.
Më poshtë gjeni rekomandimet kryesore për mbjelljen e grurit:
Përgatitja e tokës
▪️ Pas periudhës së thatë verore, reshjet e fundit kanë përmirësuar lagështinë e tokës, ndaj kjo periudhë është shumë e volitshme për lëvrim.
▪️ Lëvrimi i kryer me kohë dhe në mënyrë cilësore siguron kushte më të mira për mbirjen dhe zhvillimin e fidanëve.
Afati optimal i mbjelljes
▪️ Koha më e mirë për mbjellje është nga 5 deri më 30 tetor. Nëse kushtet atmosferike janë të favorshme, mbjellja mund të bëhet edhe më vonë.
▪️ Gruri i mbjellë në kohë ka zhvillim më të mirë, dimëron më lehtë dhe jep rendimente më të larta.
Zgjedhja e varietetit dhe farës
▪️ Përdorni gjithmonë farë të certifikuar dhe të trajtuar kundër sëmundjeve.
▪️ Konsultohuni me këshilltarët bujqësorë për të zgjedhur varietetet më të përshtatshme për kushtet tuaja agroekologjike dhe të regjistruara për Kosovë.
Mënyra e mbjelljes
▪️ Mbjellja më e mirë bëhet me makina mbjellëse, të cilat sigurojnë shpërndarje të barabartë të farës dhe thellësi të njëjtë.
▪️ Mbjellja me dorë nuk rekomandohet, pasi shkakton shpërndarje të pabarabartë dhe rendimente të ulëta.
Plehërimi dhe ushqimi i bimës
▪️ Bëni analiza të tokës për të përcaktuar sasinë e nevojshme të plehërimit.
▪️ Mesatarisht, për 1 ha grurë nevojiten:
120–160 kg/ha azot (N);
80–100 kg/ha fosfor (P₂O₅);
60–80 kg/ha kalium (K₂O), në varësi të llojit të tokës dhe para-kulturës.
▪️ Fosfori dhe kaliumi jepen para ose gjatë mbjelljes, ndërsa azoti ndahet në dy–tri doza gjatë vegjetacionit.
Qarkullimi bimor (para-kulturat)
▪️ Gruri jep rendimente më të larta kur mbillet pas bishtajoreve (sojë, bizele, jonxhë), por edhe pas misrit dhe perimeve.
▪️ Nuk rekomandohet mbjellja e grurit disa vite radhazi në të njëjtën parcelë.
Këshilla shtesë praktike
▪️ Kontrolloni tokën për baroja të këqija para mbjelljes dhe, nëse është e nevojshme, përdorni herbicide selektive.
▪️ Sigurohuni që toka të jetë e ngjeshur lehtë pas mbjelljes, për të përmirësuar kontaktin e farës me dheun.
▪️ Monitoroni shpesh parcelat për shfaqjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve gjatë dimrit dhe pranverës.