Muaji Tetor kaloi me dominim të plotë anticiklonik mbi rajonin tonë dhe për pasojë moti ishte stabil i nxehtë dhe pa reshje atmosferike.
Tërësisht ndryshe ka filluar muaji Nëntor sepse nga Atlantiku kemi depërtimin e masave të fuqishme ciklonike të cilat po shkaktojnë mot mjaft jostabil, me erëra jugore dhe vende-vende me reshje shiu.
“Cikloni amë” gjendet në Britaninë e Madhe dhe ka shtrirje deri tek ne. Ky ciklon vazhdimisht po prodhon vorbulla të reja ciklonike dhe sisteme frontale të cilat po vazhdojnë të sjellin reshje të fuqishme atmosferike sidomos në Itali, Kroaci dhe Mal të Zi.
Kjo masë e fuqishme ajrore do të zhvendoset nga nesër më në juglindje të rajonit dhe për këtë arsye kemi të arsye të shpresojmë që edhe tek ne do të kemi reshje atmosferike ditëve të ardhshme.
Shqipëria do të goditet nga reshje intensive dhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë të cilat do të shkaktojnë edhe përmbytje, por reshje nga e mërkura e tutje priten edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Reshjet më të fuqishme do të ndodhin në Mal të Zi.
Muaji Tetor ishte mjaft i nxehtë, ndërsa i njëjti trend po vazhdon edhe në Nëntor ku kemi dominim të plotë të jugut dhe rrjedhimisht të masave të nxehta ajrore me origjinë nga Mesdheu dhe Afrika Veriore. Dallimi është se muaji Tetor ishte tërësisht i thatë, kurse Nëntori do të na sjellë shumë reshje shiu sidomos në zona të caktuara.
Reshje bore nuk shihen në horizont!./Meteoballkan