Ajri majft i nxehtë afrikan së bashku me masat e thata antciklonike po shkaktojnë thatësi në rajonin tonë dhe mungesa e reshjeve atmosferike ka filluar të bëhet shqetësim. Thatësia më ekstreme është në Shqipëri, por duke mos përjashtuar edhe disa territore të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas të gjitha gjasave thatësia do të vazhdojë edhe për shumë ditë sidomos në Shqipëri.
Sidoqoftë, nesër pasdite në Kosovë pritet depërtimi i një sasie të vogël të ajrit jo-stabil në kuadër të një fronti të dobët të ftohtë ajror. Kjo sasi e ajrit jo-stabil mund të shkaktojë destabilizim të fuqishëm të motit nesër pasdite vonë. Vende-vende priten rrebeshe shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër dhe erëra të fuqishme në kohën e shtrëngatës. Nuk duhet pritur shi në tërë territorin ngase kjo është natyra e reshjeve verore kur nuk kemi ndonjë ciklon të definuar mirë.
Rrebeshe të lokalizuara nesër pasdite priten edhe në veri të Malit të Zi, disa vise në lindje, veri dhe juglindje të Shqipërisë dhe disa vise në Maqedoninë Veriore. Ky front do të shkaktojë ulje të temperaturave, por nuk priten ulje të theksuara të temperaturave ende. Rrebeshe mund të ketë edhe në zonat ku ka zjarre në veri dhe lindje të Shqipërisë dhe të shpresojmë për këtë, por nuk duhet pas shpresa të mëdha.
Pas kalimit të reshjeve eventuale të së mërkurës (në rajonet e lartëcekura) pasdite, nga e enjta masa të thata anticiklonike dominojnë rajonin përsëri me rritje graduale të sërishme të temperaturave. Temperaturat shënojnë ulje pas ardhjes së frontit të dobët të ftohtë ajror dhe ulja e tyre do të hetohet më së shumti në zanot e rrebeshe eventuale të shiut. Po ashtu edhe erërat veriore do të ndihmojnë në uljen sadopak të temperaturave, megjithatë nga e premta ose fundjava kemi tendencë të rritjes së sërishme të temperaturave të cilat pritet të kulmojnë në fillim të javës së re./Meteoballkan