Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe dhjetra të tjerë janë lënduar si pasojë e dy tërmeteve që goditën një provincë në Filipine. Tërmetet e magnitudës 5.4 dhe 5.9, goditën provincën Batanes, një arkipelag në veri të vendit në mëngjesin e së shtunës. Kryebashkiaku Raul de Sagon tha se rreth 60 persona u lënduan. Shumë njerëz ishin në shtëpitë e tyre kur goditën tërmetet, transmeton rtv21.tv. Asnjë paralajmërim për tsunami nuk është lëshuar. “Ne pamë shtëpitë që lëkundeshin, disa nga muret e shtëpive u shembën dhe u rrëzuan duke zënë viktimat, sepse ata po flinin pasi që ishte ende herët”, tha rreshteri i policisë, Uzi Villa. Imazhet e postuara në mediat sociale nga Kryqi i Kuq i Filipineve tregojnë shtëpi të rrënuara. Filipinet janë pjesë e Paqësorit një zonë me aktivitet të madh sizmik./Meteoballkan