Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se është hapur afati i aplikimit për përfitim nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitin 2026–2027.
Sipas njoftimit, mbështetja ofrohet në formën e subvencionimit të faturës së energjisë elektrike për ekonomitë familjare që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas programit dhe vendimit përkatës.
“Të drejtë aplikimi kanë ekonomitë familjare që i plotësojnë kushtet dhe kriteret e Programit. Aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe lidhet vetëm me një njehsor elektrik” – thuhet në njoftim.
Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”, në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1.
Ministria ka njoftuar se familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë ne mënyre elektronike mund të marrin ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
“Subvencionimi fillon nga muaji i aprovimit të aplikimit dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për të përfituar gjatë gjithë periudhës së programit, rekomandohet aplikimi sa më i hershëm”- thuhet në njoftim.
Pak ditë më parë, Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027, përmes të cilit parashihet mbështetja e familjeve për pagesën e faturave të energjisë elektrike.
Sipas Hotit, për këtë program janë ndarë 15 milionë euro, ndërsa përfitues do të jenë familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Hoti ka bërë të ditur se programi lidhet edhe me obligimet që Kosova ka marrë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.


















